TIÇINO - Plagos me thikë gruan sviceriane dhe largohet duke humbur gjurmët. Policia e kantonit të Tiçinos në Zvicër, është vënë në kërkim të një shqiptari nga Kosova, Salih Sylbeka, 23 vjeç. Ky i fundit ka qëlluar me thikë duke lënë të plagosur bashkëshorten e tij  24-vjeçare, e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
 
Policia lokale ka bërë të ditur se, mbrëmjen e djeshme gjatë një zënke, 23-vjeçari nga Kosova, ka qëlluar duke plagosur rëndë gruan dhe më pas është larguar. Ai është duke u kërkuar nga e gjithë policia e Zvicrës, që ka shpërndarë edhe foto të të dyshuarit për plagosjen.
 
Mjekët e spitalit të Tiçinos kanë bërë të ditur se, gjendja shëndetësore e 24-vjeçares është e qëndrueshme. Ndërkaq, policia e ka marrë në pyetje atë për të zbuluar shkaqet e kësaj ngjarjeje të rëndë.
 
Çifti kosovaro-zvicerian ishte martuar vitin e kaluar, ndërsa 23-vjeçari nga Kosova ndodhej në Zvicër prej pak javësh. Prokuroria ka hapur një hetim penal në lidhje me këtë ngjarje, ndërsa ka lëshuar një urdhër-arresti për Salih Sylbekajn.
 
Policia ka dhënë disa detaje për të kërkuarin. Salih Sylbeka është 23 vjeç, shqiptar nga Kosova. Është i gjatë 170 centimetra, me mjekërr të shkurtër, flokë të zeza, ka të veshura një pallë xhinse, një këmishë me kuadrate, xhaketë të bardhë me një stemë në shpinë.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)