Duket se Zv.kryeministri Italian Matteo Salvini, ka ardhur nga SHBA më i bindur se kurrë rreth faktit se Italia ka nevojë për një reformë të guximshme të taksave. Por duket se bindja e tij kundërshtohet fort nga Brukseli. Sikurse edhe nga ana tjetër e oqeanit, ku Salvini i dërgoi fjalë Brukselit se: “Qeveria italiane "nuk do të jetë më e kënaqur me thërrime", sot ai ka kërcënuar se: "Nëse bashkëudhëtarët e mi në qeveri nuk do të më lejojnë ta bëj, unë do të largohem. Ky nuk është kërcënim”. Sipas Salvinit - “taksat do të shkurtohen. Ne do ti bindim europianët për taksën e sheshtë me shifra dhe mirësjellje, por nëse ata nuk binden, unë nuk do të heq dorë”.
Deklarata e papritur e Salvinit vjen në të njëjtën ditë kur në Bruksel, në ditën e dytë të samitit të kryetarëve të shteteve dhe qeverive, do të diskutohet letra e dërguar dje nga qeveria italiane mbi borxhin dhe FlatTax.
Në vizitën e para disa ditëve që Salvini bëri në SHBA, shtrëngimi i duarve me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo në Shtëpinë e Bardhe dhe takimet kokë më kokë, tregojnë se Shtëpia e Bardhë ka vendosur të jetë më shumë prezente në sfidat e mëdha ekonomike dhe politikat e zhvillimit brenda qeverisë italiane. Duket se SHBA janë dakort me propozimet ekonomike të Salvinit, duke patur parasysh se ishte një politikë e tillë e propozuar nga Presidenti Amerikan Trump e cila, pas debateve të shumta, solli rritje të forte ekonomike në SHBA./Përgatiti Ilir Çuçi

Komente

