Zv.kryeministrja Belinda Balluku ishte për inspektim në lotin numër 2 të Unazës së Madhe të Tiranës, nga ku dha një mesazh për të gjithë kritikët dhe skeptikët. Në fjalën e saj tha se qeveria e Ramës ka dhënë fakte që nuk i lë banorët në mes të rrugës.
“E kuptojmë që është proces i vështirë dhe ka pasiguri. Gjithmonë njerëzit janë skeptikë dhe ndoshta nuk i besojnë disa veprime, por kemi dhënë fakte e prova, kemi treguar çfarë bëmë gjatë periudhës post tërmet dhe si banorët po hyjnë në shtëpi të reja, kështu që edhe procesi i Unazës do të tregojë të gjithë politikën tonë sociale dhe do të tregojë se çfarë ne premtojmë dhe bëjmë realitet”, tha Balluku.
Ndër të tjera u shpreh se është zonë me banesa të dendura, është zonë informale dhe është dashur ta bazojnë zgjidhjen mbi VKM për të qenë të qartë dhe për t’i dhënë mundësi edhe Bashkive, si të Tiranës e Kamzës që të kenë mbështetje. Gjatë inspektimit tha se problem gjatë punimeve është bërë lirimi i sheshit të ndërtimeve, por është gjetur një zgjidhje si për banesat e legalizuara, ashtu edhe për ato pa leje. Ndër të tjera u shpreh se tashmë qyteti merr frymë lirisht falë punës që po bëhet me Unazën e Madhe.
“Ne nuk konsiderojmë për zgjidhje vetëm shtëpitë e legalizuara por edhe banesat ku qytetarët jetojnë prej vitesh por nuk i kanë të legalizuara. Ne kemi gjetur zgjidhje duke u mbështetur dhe në procedurën e mëparshme të rindërtimit. Me luftë e kemi ndërtuar Unazën e Madhe, por sot qyteti merr frymë lirisht. Dikur duhej të qëndroje mbi dy orë në hyrje të Tiranës në orët e pikut, për t’u futur në qytet, kurse sot e kemi harruar si ishte trafiku hyrës apo zona e Astirit”, tha Balluku.
Edhe një nga inspektorët i bri thirrje qytetarëve që të shmangin thirrjet politike.
“Mos bini pre e politikës. Të mendojnë për familjen e tyre. Për ata që kanë derdhur djersë”, tha inspektori.
Ndërkohë loti 2 i Unazës së Madhe do të ketë 2 korsi kalimi, 1 korsi emergjence si dhe trafik ndarëse.