PRISHTINË, 23 Qershor /ATSH-B.Jashari/.-Udhëheqësi i Deskut për Kosovën në Zyrën e Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Dashiell Caldwell, i shoqëruar nga ambasadori britanik, Ian Cliff, ka takuar sot në Prishtinë  ne takime te veçanta, kryeministrin, Hashim Thaçi, ministin e Jashtëm dhe liderë të partive politike kosovare.
Kryeministri Thaçi, i cili ka pritur edhe shefin e EULEX-it, Berndt Borchardt, ka bërë të ditur në Facebook se në këto takime "diskutuam për gjendjen aktuale në vend dhe falënderova për ndihmën e çmueshme të BE-së dhe të Britanisë së Madhe në konsolidimin e shtetit".
Sipas MPJ-së kosovare, në takim me ministrin Enver Hoxhaj, Caldwell ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka ofruar mbështetje të mëtejme për Kosovën edhe në aspektin e bashkëpunimit bilateral ndërmjet dy shteteve.
LDK ka bërë të ditur se në takimin me Shefin e Seksionit Kosovar në Zyrën e Jashtme dhe të Komonvelthit të Britanisë së Madhe, Dashiell Caldwell, dhe ambasadorin Britanik në Kosovë, Lan Cliff, kryetari Isa Mustafa, "paraqiti vizionin e partisë së tij dhe të partnerëve të koalicionit për qeverisjen e ardhshme të vendit. Në takim u fol për aspektet rreth formimit të qeverisë së re, zhvillimeve aktuale politike, si dhe për bashkëpunimin e mëtutjeshëm me Qeverinë Britanike".
LVV bën të ditur se kryetari Albin Kurti njoftoi Caldwell dhe Cliff për ecurinë e procesit pas zgjedhjeve si dhe për takimet që janë mbajtur me subjektet politike në vend.
Kurti theksoi se, "ne kemi thënë se janë 3 faza. E para, për të cilën kemi rene dakort  me të gjithë ishte që nuk do të ketë Thaçi 3. Aktualisht jemi në fazën e dytë e cila konsiston në atë se çfarë nuk duhet të bëjë Qeveria e ardhshme dhe me këtë rast ne kemi paraqitur kriteret tona, e që janë pezullimi i dialogut me Serbinë dhe ndalja e privatizimit. Nëse e mbarojmë me sukses fazën e dytë, atëherë do të kalojmë në fazën e tretë e cila lidhet me se çfarë duhet të bëjë Qeveria e re".
Sipas AAK-së, kryetari Ramush Haradinaj, dhe drejtori Caldwell biseduan për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, rolin e Aleancës në kuadër të këtyre proceseve dhe domosdoshmërinë e ndërtimit në kohë të institucioneve të vendit, të dala pas zgjedhjeve të fundit.
Ndërsa, Nisma për Kosovën bën të ditur se kryetari i Këshillit Kombëtar të saj, Jakup Krasniqi ka njoftuar Caldwell dhe Cliff për ecurinë e procesit pas zgjedhjeve si dhe për rolin e këtij subjekti politik në zhvillimet politike aktuale, si dhe kanë diskutuar për vazhdimin e dialogut me Serbinë. /gj.m/f.n/