Dinamo ka njoftuar se futbollistët Patrik Fetaj, Realf Zhivanaj dhe Taulant Marku nuk do jenë më pjesë e ekipit. Blutë sezonin e ri do jenë pjesë e Superligës, duke u rikthyer në elitë pas një sezoni në Kategorinë e Parë. Tanimë me ide të rinovuara, Dinamo ka njoftuar edhe tre "firot" e radhës.
Sulmuesi Taulant Marku ishte prej një sezoni pjesë e klubit, teksa verën e kaluar u afrua nga Korabi, por pa bindur drejtuesit për rinovimin. Edhe mbrojtësit Zhivanaj dhe Fetaj nuk do jenë pjesë e organikës që Dritan Mehmeti do ketë në Superligë për sezonin e ri.
'FC Dinamo njofton se ka arritur marrëveshjen për mbylljen e bashkëpunimit me sulmuesin Taulant Marku dhe dy mbrojtësit, Patrik Fetaj e Realf Zhivanaj. Klubi blu i falenderon lojtarët për kontributin e dhënë në sezonin e kaluar me fanellën dinamovite dhe i uron suksese në vazhdimësi", shkruajnë Blutë.
Kujtojmë se Dinamo ka zyrtarizuar afrimet e Albion Markut, Rustem Hoxhës, Luiz Kaçorrit dhe Jocelin Behiratche.