Arbenit Xhemajli është mbrojtësi më i ri i Egnatias. Rrogozhinasit që përfaqësuan Shqipërinë edhe në Conference League dhe mbajnë kurorën e ekipit kampion të Kupës së Shqipërisë, kanë afruar një lojtar me potencial për të ardhmen. 25-vjeçari ka një CV të pasur, teksa për dy sezone ka qenë pjesë edhe e Sunderland në Angli.
"KF Egnatia njofton se ka firmosur me qendërmbrojtësin Arbenit Xhemajli i cili vjen nga kampionati zvicerian ku ka qenë pjesë e Vaduz. Xhemajli pasi ka nënshkruar kontratë është bashkuar menjëherë me grupin në stërvitje", njofton Egnatia.
I gjatë 1.90 metër, shqiptari i Kosovës ka dalë nga moshat e Zurich, teksa ka luajtur edhe me Xamax. Dy sezonet e fundit ai ka qenë pjesë e Vaduz në Zvicër dhe me Egnatian bashkohet si transfer i lirë. Veç aktivizimit për klube, mbrojtësi ka qenë edhe pjesë e përfaqësueses së Kosovës.