Pas mbledhjes së sotme Komisioni i Ligjeve ka shpallur edhe në faqe zyrtarisht vakancën për pozicionin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm. Kuvendi njofton se brenda 5 ditëve nga miratimi i këtij vendimi të interesuarit (prokurorët) të depozitojnë dokumentet.

NJOFTIMI I KUVENDIT
Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në mbledhjen e datës 7 dhjetor 2017, me vendimin nr.9, datë 07.12.2017, ka miratuar procedurën e caktimit të Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.

Bazuar në këtë vendim, njoftohen të gjithë prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve dhe që përmbushin kushtet e kriteret e kreut IV, seksioni I të ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, që brenda 5 ditëve nga miratimi i këtij vendimi, të depozitojnë pranë komisionit përgjegjës, një curriculum vitae të kandidatit dhe pëlqimin e tij për kandidim.

Afati i paraqitjes së shprehjes së interesit së bashku me dokumentacionin e nevojshëm për plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore të përcaktuara në Kreun IV seksioni I, I ligjit nr. 97/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, është brenda datës 12 Dhjetor 2017 ora:18:00,  pranë Sekretarisë së Kryesisë së Kuvendit.

Adresa:  Kryesia  e  Kuvendit të Shqipërisë, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” Nr.4 Tiranë, Shqipëri.

Bashkëlidhur vendimi i Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Nr. 9, datë 7.12.2017

dy.b/shqiptarja.com