ITALI - Juventusi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së Weston McKennie. Mesfushori amerikan do të jetë pjesë e bardhezinjve deri më 30 qershor 2030, duke i dhënë fund çdo spekulimi për të ardhmen.

27-vjeçari u transferua në Torino nga Schalke 04 në gusht të vitit 2020 dhe prej atëherë është shndërruar në një nga elementët më të rëndësishëm të skuadrës. Nën drejtimin e trajnerit Luciano Spalletti, ai ka qenë ndër lojtarët më të aktivizuar, falë dhe kontributit në disa role, nga mesfushor sulmues, në krah apo edhe në repartin mbrojtës.

McKennie ka kaluar pragun e 200 ndeshjeve me Juventusin në muajin dhjetor dhe aktualisht numëron 220 paraqitje, me 26 gola dhe 26 asistime në të gjitha kompeticionet. Vetëm në sezonin aktual ai ka kontribuar me 8 gola dhe 7 asistime, duke qenë protagonist në Serie A, Kupën e Italisë dhe Champions League.

Rinovimi parashikon edhe një rritje të ndjeshme të pagës, nga 2.8 milionë euro neto në sezon në 4 milionë euro neto, pa llogaritur komisionet për përfaqësuesit e tij.

Me këtë marrëveshje, Juventusi blindon një nga lojtarët më të besuar të skuadrës dhe mbyll çdo mundësi që ai të largohej me parametër zero, pavarësisht interesimit të raportuar nga klube si Interi, Milani, Atletico Madridi apo disa skuadra të Major League Soccer (MLS).