SHBA - Lionel Messi do të vazhdojë aventurën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sulmuesi argjentinas, tashmë 38 vjeç, ka zgjatur kontratën me klubin amerikan Inter Miami deri në fund të sezonit 2028, duke konfirmuar se nuk ka ndërmend të ndalet ende.

Lajmi u bë zyrtar nga vetë klubi me bazë në Floridës, nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetin social 'X'. Në materialin promovues, kampioni i botës shfaqet në kantierin e ndërtimit të stadiumit të ri të Inter Miamit, një simbol i projektit afatgjatë ku Messi do të mbetet figura qendrore.

Marrëveshja e re do ta mbajë Messin të lidhur me klubin deri në fund të sezonit 2028 në MLS. Kjo zgjatje kontrate pritet t’i japë mundësinë yllit argjentinas të qëndrojë në formë optimale edhe në prag të Kupës së Botës 2026, e cila do të zhvillohet pikërisht në Amerikën e Veriut.

Që nga ardhja e tij në Miami në vitin 2023, Messi ka qenë shtylla kryesore e skuadrës së David Beckham, duke udhëhequr ekipin drejt trofeut të parë në histori, Leagues Cup dhe duke rritur ndjeshëm profilin e futbollit amerikan në mbarë botën.