Redi Kasa është futbollisti më i ri i Olimpija Ljubjana në Slloveni. Sulmuesi ka lënë Egnatian pas vetëm gjashtë muajve dhe do jetë pjesë e elitës sllovene, teksa për një sezon do jetë i huazuar, me Olimijan që ka të drejtë për ta blerë në fundin e sezonit që sapo ka nisur.
21-vjeçari shkëlqeu në Superligë në vetëm 17 paraqitje, ku ia doli të shënonte katër gola dhe të ishte shqetësim për mbrojësit në krahët e sulmit. Pritet që Egnatia të arkëtojë të paktën 350 mijë euro nga ky transferim, që do kompletohet fundin e sezonit.
Djaloshi kuqezi ka qenë pjesë e moshave U-17 të Kombëtares, teksa është një emër që mund të ndihmojë edhe ekipin A në të ardhmen, për vetë cilësitë që zotëron në sulm.
I dalë nga moshat e Parmës në Itali, Kasa ia doli të luante edhe me ekipin e parë të këtij klubi, për të vijuar më pas në Bullgari me Septemvri Sofia dhe Tsarsko Selo.
I lumtur për këtë transferim u shpreh 21-vjeçari, që pritet të tregojë cilësitë e tij edhe në kampionatin slloven të futbollit.
"Jam i lumtur që u bëra anëtar i Olimpijas. Me punë të mirë, dua të fitoj një vend në fushën e blertë në fillim dhe më vonë ta ndihmoj skuadrën të arrijë rezultatet e dëshiruara. Duke qenë se luaj në sulm, arritjet personale lidhen me golat. Do të doja t'i bëja sa më shumë njerëz të lumtur, por ekipi është gjithmonë i pari. Performanca e të gjithë ekipit. Besoj se në sezonin aktual mund të ndërtojmë atë që tashmë është bërë dhe të japim shumë gëzim te tifozët", tha Kasa për faqen e klubit.