Dritan Resuli do jetë trajneri i ri i Flamurtarit për pjesën e mbetur në Kategorinë e Parë. 47-vjeçari vlonjat rikthehet në stolin e kuqezinjve pas më shumë se një viti, pasi u largua në shtatorin e 2022.

Resuli e ka drejtuar Flamurtarin për 16 ndeshje në dy periudha të ndryshme, teksa me punën e tij ka bindur administratorin Sinan Idrizi për ta rikthyer në krye të ekipit.

Së bashku me të në stol do jetë edhe Ditmar Bicaj. Ish-mbrojtësi tanimë do jetë me detyrën e ndihmëstrajnerit, duke nisur kështu një karrierë të re. Kujtojmë se dje stafi i Flamurtarit vendosi të largonte trajnerin Emiliano Çela pas humbjes 2-0 me Bylisin në udhëtim.

Pas 13 javëve në të Parën, Flamurtari me 24 pikë mban vendin e katërt, me objektivin e qartë për një vend në elitën e futbollit shqiptar sezonin që vjen.