Elmando Gjini është mbrojtësi më i ri i Teutës në Superligës. Në Durrës kanë prezantuar 21-vjeçarin që luan në qendër të mbrojtjes dhe në mesin e fushës në rolin e shkatërruesit. I lindur në Shkodër, Gjini vjen nga të rinjtë e Genoas në Serie A, teksa ka luajtur 54 ndeshje dhe ka shënuar shtatë gola me italianët në kampionatin e të rinjve.

"KF Teuta ka kënaqësinë të njoftojë se qendërmbrojtësi Elmando Gjini është zyrtarisht pjesë e skuadrës sonë. Klubi ynë ka arritur ditën e sotme një marrëveshje me lojtarin 21 vjeçar, i cili vjen te Teuta vjen pas eksperiencës pozitive me ekipin e Genoas U21, ndërsa ka luajtur një sezon edhe në Suedi me klubin IF Brommapojkarn. Gjini është njëkohësisht kontigjent i ekipit tonë përfaqësues U-21. KF Teuta i uron mirëseardhje qendërmbrojtësit Elmando Gjini dhe i uron shumë suksese me fanellën e klubit tonë", njoftojnë në Durrës.

I dalë nga moshat e Bromma në Suedi, prej 2019 ai është pjesë e kampionateve të moshave në Itali duke qenë më herët te Bologna dhe Genoa. Gjithashtu ka luajtur edhe me IF Brommapojkarn në Suedi. Gjini është pjesë e Kombëtares U-21, duke luajtur në tre takime me të besuarit e Alban Bushit.

Pas javës së 17-të në Superligë, Teuta e Edi Martinit mban vendin e fundit me 16 pikë dhe ka pësuar 24 gola. Kjo ka bërë që në Durrës të ndërhyjnë në merkato.