Portieri Gentian Selmani nuk do të jetë më pjesë e Teutës së Durrësit në Superligë, por do ta vijojë karrierën me FC Ballkanin në Kosovë.
Klubi durrsak zyrtarizoi dje ndarjen e rrugëve me portierin, duke i dhënë fund bashkëpunimit mes palëve. Klubi ka falenderuar portierin për kontributin e dhënë gjatë periudhës së tij me fanellën durrsake, ndërsa i ka uruar suksese në vijim të karrierës.
“Faleminderit, Gentian Selmani! KF Teuta dëshiron t’ju njoftojë se ka mbyllur bashkëpunimin me portierin Gentian Selmani. Klubi e falenderon Gentianin për gjithçka që ka dhënë për fanellën tonë dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij futbollistike. Faleminderit për gjithçka, Gentian!”, thuhet në komunikatën e klubit.
Duket se Selmani e ka pasur situatën nën kontroll, pasi fill pas largimit nga Teuta ka gjetur akordin me FC Ballkanin për ta vijuar karrierën në Kosovë. 28-vjeçari, i cili ka qenë edhe pjesë e kombëtares së Shqipërisë i bashkohet FC Ballkanit si një përforcim i rëndësishëm.
Selmani së fundmi ka qenë pjesë e Teutës, teksa më parë ka luajtur edhe te Tirana, Laçi e Kastrioti, ndërsa ka provuar fatin edhe në Turqi te Menemenspor dhe Boluspor. Pas Topallit, tani FC Ballkani do të prezantojë edhe Selmanin.









Komente
Komento