VLORË - Të hënën (dje), për rreth katër orë në ambientet e stadiumit të Vlorës, drejtuesit e Klubit të Futbollit Flamurtari pritën në një takim disa zyrtarë të lartë të klubit turk të Galatasarayt.
Të dyja klubet janë dakordësuar për një bashkëpunim në disa fusha, ku më kryesorja konsiston në shkëmbimin e përvojave dhe ndërtimin e fushave të reja sportive në Pyllin e Sodës, të cilat do shërbejnë për akademinë e klubit vlonjat.
Veç futbollit, në këtë akademi do ketë mjedise edhe për sporte të tjera, diçka e shumëpritur kjo për të rinjtë në Vlorë. Veç anës infrastrukturore, është përfolur edhe shkëmbimi i talenteve mes dy klubeve. Gjithashtu do ketë shkëmbim përvojash dhe seminaresh mes trajnerëve dhe zyrtarëve të dy klubeve.
Në takim nuk ka munguar zëvendëspresidenti i klubit vlonjat, Kreshnik Çipi, si dhe kryebashkiakja e Vlorës, Brunilda Mersini. Tanimë pritet që klubi i Flamurtarit të dalë publikisht për të sqaruar pikat e marrëveshjes me një nga klubet më të rëndësishme të futbollit turk.
Komente










