TIRANE- Në komisionin e edukimit dje janë zhvilluar debate të forta. Pas prezantimit të projektligjit të ri të arsimit parauniversitar, nga kreu i këtij dikasteri, Myqerem Tafaj, deputetët socialistë e kanë shënjestruar atë sa i përket reformës së altertekstit. Kjo pasi sipas tyre, reforma e altertekstit është deformuar krejtësisht, duke qenë se librat shkollorë kanë si autorë tekstesh, persona me konflikt të hapur interesi dhe që kanë lidhje direkte me pushtetin. Fatmir Toçi ka përmendur rastin e librit të Matematikës që e boton shtëpia botuese “Edualba”, në pronësi të plotë të këshilltarit të kryeministrit për arsimin, Bardhyl Musai, njëkohësisht edhe autor matematike si dhe “Gjuha Shqipe” me autor zëvendësministrin e të arsimit, Ardian Tana, fakte të cilat janë denoncuar pak ditë më parë edhe nga “Shqiptarja.com”. “Pjesa më e madhe e teksteve që sot dominojnë dhe quhen ‘të përzgjedhura’, në shkollat shqipe janë pikërisht tekstet e këtyre njerëzve. Mund ta them fare hapur, njerëz që janë në stafin e afërt të kryetarit të shtetit shqiptar, apo një prej zëvendësve tuaj, që është emëruar tani rishtaz. Është autor i pesë teksteve, është zëvendësministër i Arsimit dhe tekstet e tij, me siguri që do të jenë më precedencë në përzgjedhje, ku menaxhohet rreth 4-5 milionë euro që ka të bëjë prodhimi i teksteve shkollore dhe tani është më shumë për shkak të teksteve alternative, të krijohej mundësia me këtë rast, të fitonin një rrjet të tërë librarish edhe titujt artistikë dhe shkollore, në të gjithë vendin”, - ka deklaruar deputeti socialist, njëkohësisht edhe botues i librit artistikë, Fatmir Toçi. Kritika të forta ka bërë në këtë drejtim edhe deputetja tjetër socialiste, Ledi Shamku. “Këshilltari i kryeministrit, zoti Bardhyl Musai, përveçse bën tekste, nga e para deri në klasën e 12-të dhe është autor tekstesh dhe është në konflikt të pastër interesi, me pëlqimin tuaj, vërej që keni lënë një syzim edhe për agjencitë private dhe atëherë a mund t’i shpjegoni dot këtij Komisioni, përse ia keni thjeshtuar kaq shumë rrugën këshilltarit të Kryeministrit, i cili ka më se 6 vjet që ofron trajnime të mësuesve dhe të drejtorëve, ndërkohë që ende nuk është bërë platforma për drejtorin? Ai ka aplikuar për të marrë licencën, e ka marrë atë dhe që do ta shpallni pas dy javëve”, - ka akuzuar deputeteja Shamku. Ndërkohë ministri i arsimit u është përgjigjur këtyre akuzave se ka një rregullore për konfliktin e interesit, që ndiqet me përpikmëri. “Sipas kësaj rregulloreje, të gjithë nëpunësit e Ministrisë dhe të agjencive vartëse, janë të deklaruar për mungesë të konfliktit të interesit. Për këtë çështje ju mund të kërkoni sqarime dhe mund të japim sqarime me shkrim”, - ka thënë Tafaj.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)