Që nga viti 2014, Rusia ka financuar partitë politike në mbi 20 vende me 300 milionë dollarë për të rritur ndikimin e saj. SHBA "beson se këto janë vlerësime minimale dhe se Rusia ndoshta ka shpenzuar fshehurazi edhe më shumë fonde që nuk janë bërë publike", tha një zyrtar i lartë i Uashingtonit.
Vlera u bë me dije nga Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili citoi burime të inteligjencës në një mesazh dërguar ambasadave dhe konsullatave amerikane, shumë prej të cilave ndodhen në Evropë, Afrikë dhe Azinë Jugore.
Ky është informacion i deklasifikuar nga një raport i inteligjencës amerikane, i klasifikuar si "i ndjeshëm", i cili përmban një sërë pikash bisedimi që diplomatët amerikanë kishin për detyrë t'i ngrinin me qeveritë që kanë marrë lekët në lidhje me ndërhyrjen e supozuar ruse.
Siç konstaton analiza e komunitetit të zbulimit, Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën. Rusia ka financuar fshehurazi parti politike lokale dhe politikanë, në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit, në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda. Mendojmë se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Dhe jemi angazhuar me aleatët dhe partnerët për të mbledhur më shumë informacion për këtë lloj rreziku... Po i ndajmë me mbi 100 vende kundërmasat që po marrim)”, tha zyrtari i lartë amerikan i cili foli në kushte anonomiteti.
“Ajo që është më tronditëse për këtë studim është se shohim praninë e financimit të fshehtë rus në mbarë botën... Po i paralajmërojmë këto parti të huaja dhe kandidatë se nëse pranojnë fshehurazi paratë e Rusisë. Ne kemi mundësinë t’i ekspozojmë, dhe do t’i ekspozojmë”, shtoi ai.
I pyetur rreth shqetësimeve se Rusia mund të jetë duke u përpjekur të ndikojë edhe tek zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara, zyrtari i lartë amerikan tha se nuk ka diskutim se ekziston edhe kjo pikë e dobët.