FIER - Një fëmijë 7 vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik në superstradën Tepelenë- Levan. Ngjarja tragjike për fëmijën, ka ndodhur në vendin e quajtur Gorishov, komuna Cakran e rrethit Fier.

Fëmija 7 vjeçar ka qenë duke kaluar në krahun tjetër të autostradës, në drejtim të fshatit ku ai banonte, Gorishov, teksa është goditur nga një mjet tip Benz me targa AA 966 DY, me drejtues shtetasin Petrit Ponari. Ponari është drejtor i Burimeve Njerëzore pranë Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa mësohet se është shoqëruar në polici.

Vogëlushi me inicialet K.K ishte sëbashku me vëllain e tij dhe gjyshin, teksa tentonin të shkonin në tokat e tyre në krahun tjetër të autostradës.

Në vendngjarje mbërriti edhe një helikopter i Ministrisë së Shëndetësisë, por më kot, pasi vogëlushi gjeti vdekjen e menjëhershme. Ndërkaq, nuk dihen shkaqet e këtij aksidenti të rëndë pasi ekspertët e policisë Rrugore ende nuk kanë nxjerrë rezultatet e ekspertizës.

Vetëm për gjatë një muaji në këtë segment rrugor prej 5 kilometrash ka pasur dy aksidente me pasojë plagosjen e tre shtetasve, të cilët për shkak të mungesës së nënkalimeve kanë kaluar me karrocat e tyre në autostradë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)