O maaaa fajin e ka Ediii

Ju kanë qëlluar në klasë shokë apo shoqe që nuk bënin dot një gjë dhe i thonin me vrap mësueses se fajin e kishte dikush tjetër? Po në punë, kur kapet në gabim një koleg apo kolege dhe e para gjë që bën sheh rreth e rrotull të tregojë se fajin e ka ai apo ajo tjetra? Po kur shkoni në një restorant e ju qëllon një qime apo tjetër gjë në pjatë dhe kuzhinieri apo kamarieri sapo ua thua me nxitim të thonë: Nuk është faji ynë, të ka rënë ty.

Besoj se të gjithë jemi të rrethuar nga njerëz që nuk duan të marrin përgjegjësinë e gjërave që bëjnë: nga ato më të voglat deri te më të mëdhatë. E sidomos, kur ato i bëjnë shkel e shko, identifikojnë dikë ose diçka dhe bërtasin: O maaaaa, fajin e ka ai ose ajo! Dhe pastaj lënë gjithçka: Punën, lojën, familjen, shoqërinë, vendin... Në vend që të lodhen e të ndërtojnë, shkatërrojnë, dorëzohen, tërhiqen.

Vendimi për lënien e mandateve nga disa parti opozitare të lë pikërisht shijen e "O maaaaa, fajin e ka Edi". Të gjithë, burra në moshë dhe politikanë karriere në krye të partive të mëdha të tranzicionit shqiptar sot po tregojnë me gisht vetëm një person: Edi Ramën. Pra në gjithë shtetin tonë, në gjithë strukturat dhe historinë (edhe pse të turbullt), këta lëshojnë mandatet sepse Edi Rama bëka bullizëm me ta. Në fakt, edhe nëse kjo është e vërtetë, shoqëritë moderne edhe ndaj bullizmit të verifikuar e kanë zgjidhjen e duhur. Nuk është zgjidhja që të largosh fëmijën nga shkolla nëse ka bulizëm në të. Bulizmi identifikohet dhe luftohet me mjetet e duhura me sociologët, psikologët e duhur.

Sipas logjikës së opozitës sot, përballë bullizmit duhet t'ja mbathin nga sytë këmbët viktimat ose ai që i viktimizon. Po kush do të qëndronte më në këtë tokë?

Harmonia, zgjuarsia, ekuilibri, vendosmëria, ndershmëria, puna, vizioni janë vlerat që mungojnë më shumë mes opozitës sot dhe ky nuk është një problem vetëm i opozitës, por i gjithë vendit, i seicilit prej nesh, pasi pa një opozitë të shëndoshë, të drejtë, jemi si një trup pa një këmbë. Jetojmë? Mbijetojmë? Sigurisht që po, por para se ta presim atë këmbë çfarë po bëjmë që ta shpëtojmë?

 

 

Komento