Pas arrestimit të Stresit, çfarë masash do të marrë PD ndaj Sali Lushajt?

Reperi Stresi me të atin, Sali Lushaj

“Stresi” nuk është i njohur vetëm si reper, por edhe si një militant i flaktë i Partisë Demokratike. Emri i vërtertë i “Stresit”, në fakt, është Arkimed Lushaj dhe ai është i biri i Sali Lushajt, një prej bashkëpunëtorëve më të afërt dhe më besnikë të Lulzim Bashës dhe Sali Berishës. Emri i Sali Lushajt del vazhdimisht edhe në përgjimet me Babalen dhe Fredi Alizotin, madje ky i fundit edhe ka fjetur në shtëpinë e Lushajt.

Tani, pyetja është e thjeshtë: fakti që një nga djemtë e njerit prej krerëve të Partisë Demokratike është kapur me pistoletë në dhomë dhe akuzohet për trafik droge e pjesëmarrje në një bandë kriminale, si do të justifikohet nga Basha, Berisha dhe nga gazetarët e tyre? Në rast se kërkohet dorëheqja si deputet për babain e Rexhep Rrajës për dhunën e ushtruar nga djali i tij, çfarë masash do të marrë Partia Demokratike ndaj Sali Lushajt për armën dhe drogën e trafikuar nga i biri? Ndërkohë që ditë për ditë kërkohet që politika të distancohet nga krimi, si mund të vazhdojë të bashkëjetojë në shtëpinë e PD-së babai i një trafikanti?

Dhe si shpjegohet heshtja mbi këtë argument e qindra gazetarëve, të cilët çdo ditë kërkojnë transparencë në marrëdhëniet mes politikanëve (të mazhorancës) dhe kriminalitetit, por më pas i mbyllin të dy sytë kur lidhjet me krimin prekin eksponentë të Partisë Demokratike? Dhe askush të mos guxojë të thotë se problemi qendron në atë, që mazhoranca ka pushtetin, pasi, po të mjaftonte ky parim, atëhere kjo do të thoshte se opozita nuk ka asnjë detyrim moral dhe mund të qendrojë edhe në duart e krimit. Opozita duhet të jetë më e mirë se ata që janë në pushtet per te merituar rotacionin.   

Në rast se Partia Demokratike me të vërtetë dëshiron t’i japë besueshmëri betejës së saj moralizuese, ajo nuk mund të qendrojë indiferente përballë arrestimit të Arkimed Lushajt: në rast se e bën këtë, thjesht jep provën se, në realitet, PD nuk ka ndryshuar, se beteja kundër krimit është vetëm një inskenim, në përpjekje për të përmbysur qeverinë dhe se, kur një ditë do të arinte të fitonte zgjedhjet sërish, qeveria dhe Parlamenti do të kontrolloheshin përsëri nga shumë “Lushaj” të tjerë, që i kemi njohur në kohën e Berishës dhe kundër të cilëve kurrë nuk është denoncuar ndonjë skandal, as nga politika dhe madje as nga pjesa më e madhe e mediave.

Komento