PD dhe LSI gënjejnë nga halli

Pak ditë më parë, lideri i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në përfundim të një mbledhjeje të partisë, njoftoi vendin mbarë se “pas pak orësh” arrestohej kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. Tri ditë më pas, Sali Berisha shpall se 613 kilogramë kokainë të sekuestruara në Durrës më 2018 janë shitur në Itali nga Policia. Sot kryetarja e LSI Monika Kryemadhi njoftoi se në fund të muajit maj do të ketë zgjedhje parlamentare të parakohshme. Është pa fund lista e gënjeshtrave që kjo opozitë i përsërit çdo ditë popullit.

Gënjeshtra është bërë pjesë integrale e propagandës së tyre, në atë pikë, sa që asnjë nuk është më në gjendje të kuptojë nëse të paktën diçka nga këto që thonë është e vërtetë. Natyrisht, kjo dëmton rëndë besueshmërinë e kësaj opozite. Problemi nuk ka të bëjë me militantët, që besojnë në mënyrë të verbër çfarëdo shpikjeje të liderëve të tyre. Por militantët janë një pakicë në vend. Në rast se opozita shpreson të zgjerojë numrin e mbështetësve të saj dhe të transformojë tubimet e partisë në një revoltë të vërtetë popullore, ka vetëm një rrugë që duhet të ndjekë: të rreshtë së gënjyeri dhe të rifitojë besueshmëri. Por, nëse liderët e saj nuk e bëjnë këtë, kjo vjen ngaqë ndoshta e kanë kuptuar se pa gënjyer do të rrëzoheshin edhe shumë arsye për të cilat protestojnë. Me pak fjalë, gënjejnë nga halli.

Komento