Si president apo si bashkëshort flet Meta?

Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta

Konflikti politik dhe logjik ndërmjet një Presidenti të Republikës, i cili në të njejtën kohë është edhe bashkëshort i njerës prej drejtuesve të opozitës, paraqitet me gjithë dramaticitetin e vet komik në momente krize të brendshme. Në fakt, është në momente si ky, që një president normal do të duhej dhe do të mundte të ushtronte funksionin e tij kryesor kushtetues, që është ai i arbitrit super partes ndërmjet partive në konflikt.

Por Ilir Meta, që kur autorizoi gruan e tij të marrë drejtimin e LSI-së, duke siluruar Petrit Vasilin (të emëruar në momentin kur ai zgjidhej President), që në fillim ka refuzuar rolin e tij. Dhe kështu që nuk kuptohet mirë se çfarë ka parasysh me thirrjen e bërë sot: “Ka nevojë për një reflektim, është për të ardhur keq që palët politike kanë nxituar duke thelluar krizën. Klasa politike duhet të marrë përgjegjësitë e saj dhe të mos fshihen pas ndërkombëtarëve”, u shpreh ai në një prononcim për gazetarët.

Në fakt, mbetet dyshimi se ftesa për të injoruar faktorin ndërkombëtar është vetëm një reagim ndaj kritikave që pikërisht faktori ndërkombëtar ka bërë në adresë të gruas së tij. Pra, problemi i vërtetë, i cili minon funksionin e tij kushtetues, është që nuk kuptohet se, kur flet Ilir Meta, këtë e bën si President i Republikës, apo si burri i Monikës.

Komento