Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton personat e interesuar të aplikojnë për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm në këtë institucion

Në zbatim të nenit 20 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpall fillimin e procedurave për personat e interesuar që kërkojnë të aplikojnë për pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm në Komisionin e

Pavarur të Kualifikimit, kategoria e pagës: I-a.
Personat e interesuar të aplikojnë për këtë pozicion brenda 20 ditëve, pas publikimit.

Të gjithë të interesuarit duhet të dorëzojnë në institucionin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (me postë apo dorazi) dokumentacionin sipas kritereve të përcaktuara në pikën 3, të nenit 20 të ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, si më poshtë vijon:

1- Kërkesë me shkrim, shprehje interesi;
2- Dokument që ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare për Drejtësi ose në Shkenca Ekonomike me diplomë “Master i shkencave” në Shqipëri ose studimet universitare për Drejtësi ose në Shkenca Ekonomike jashtë vendit dhe ka marrë një diplomë të njësuar sipas rregullave për njësimin e diplomave, të parashikuar me ligj; 
Diplomën shoqëruar me listë notash, fotokopje të noterizuar; 
Për personat që kanë përfunduar studimet jashtë vendit, dokumentin e njësimit të diplomës të shoqëruar edhe me diplomat dhe listën e notave përkatëse, fotokopje të noterizuar.
3- Dokument që ka pasur një përvojë pune në nivel menaxherial dhe drejtues jo më pak se 10 vjet; 
CV, të shoqëruar me librezë pune apo çdo dokument tjetër që vërteton këtë kriter.
(Njohuritë në nivel menaxherial përfshijnë: Njohuri në marrëdhënie pune, organizative, drejtuese apo menaxheriale. Kandidati duhet të zotërojë në mënyrë të mjaftueshme aftësi profesionale dhe organizative për të përfaqësuar institucionin në marrëdhënie me palët e treta, si dhe të ketë aftësi personale për të mbajtur të motivuar dhe produktiv personelin e institucionit.)
Të plotësojë kriteret për pajisjen me certifikatë sigurie të nivelit të lartë. 
4- Dokument që ndaj tij të mos ketë nisur një hetim penal, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi ose për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje; 
Kandidati duhet të informojë gjithashtu për çështje të tjera të konfliktit të mundshëm të interesit apo të konfliktit në dukje. Ai duhet të shfaqë marrëdhënie mirëbesimi me Komitetin ad hoc gjatë procesit, i cili mban në konsideratë sjelljet e kandidatit në vlerësimin përfundimtar. 
5- Dokument që zotëron shumë mirë gjuhën angleze. Njohuritë e gjuhës angleze do të testohen edhe nëpërmjet një interviste me gojë me kandidatin.
6- Dokument që ndaj tij të mos jetë marrë masa disiplinore e largimit nga puna ose ndonjë masë tjetër disiplinore, e cila është ende në fuqi, sipas legjislacionit, në momentin e aplikimit;
Do të vlerësohet paraqitja e rekomandimeve pozitive të punës së tyre.
7- Dokument që nuk ka ushtruar funksione politike në administratën publike ose nuk ka mbajtur pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 viteve të fundit (kjo mund të shprehet edhe me deklaratë individuale).