Miliona punëtorë në botë zakonisht e kremtojnë 1 majin, Ditën Ndërkombëtare të tyre me marshime e protesta.
Por këtë vit do të jetë ndryshe, për shkak të kufizimeve të vendosura për të kontrolluar përhapjen e koronavirusit.
Shtete të ndryshme në botë kanë vendosur deri edhe masa të shtetrrethimit në përpjekje për të frenuar rreziqet e pandemisë kurse qeveritë po mundohen, deri edhe duke prishur ekuilibrat financiar, të ndihmojnë bizneset.
Në dy muajt mars-prill të këtij viti, vetëm në Gjermani kanë humbur punën e tyre rreth 373,000 njerëz. Pandemia e koronavirusit ka prekur ekonominë gjermane dhe mes efekteve të tjera gjithashtu ka shkaktuar një rritje të shkallës së papunësisë, nga 5 në 5.8 përqind. Sipas të dhënave nga Zyra Federale e Punës, vendi tani ka 2.6 milion të papunë.
Rritje e të papunëve ka regjistruar edhe Spanja, ku në dy muaj ata që kanë humbur vendin e punës janë më shumë se 120 mijë për një total prej 3.3 milionë.