1 mijë dollarë për çdo bebe, Kërpaçi: Kur të bëhen më pas prindër, do të tërheqin 25 mijë!

1 Shkurt 2021, 23:10 | Përditesimi i fundit: 2021-02-01 23:26:51

Kryetarja e Lëvizjes Rinore për Integrim, Floida Kërpaçi ka shpjeguar disa prej pikave të programit ekonomik të LSI-së për zgjedhjet parlamentare më 25 prill. Një prej këtyre pikave, e cila ka ngjallur dhe debat e kuriozitet në rradhët e politikanëve dhe opinionit publik, është bonusi prej 1 mijë dollarë për çdo bebe për 25 vite.

Gjatë një interviste në emisionin '5 pyetjet' nga gazetari Ilir Babaramo, ajo shpjegoi se në momentin që lind një fëmijë gjatë qeverisjes së LSI-së, do të hapet një fond investimi ku do të depozitohet 1 mijë dollarë. Pas 25 vitesh, kur ai fëmijë të rritet e të bëhet vetë prind, do të mund të tërheqë shumën prej 25 mijë dollarësh. Por Kërpaçi nuk ka shpjeguar mekanizmin se si do të funksionojë dhe se si do të shndërrohet shifra prej 1 mijë dollarësh në 25 mijë.

"Një program tjetër është 'Nga bebja në bebe'. Çdo çift i ri kur bën një bilanc për jetën këtu, të gjithë duan të largohen dhe të ndërtojnë të ardhmen jashtë Shqipërisë. Ne kemi dalë me këtë propozim. Është një program afatgjatë. Kur një çift i ri do të bëhet me një fëmijë, do t'i hapet një fond investimi me 1000 dollarë. Është parashikuar nga ekspertët e ekonomisë që kur ky fëmijë shkon 25 vjeç, dhe bëhet me fëmijë, ai mund të tërheqë këtë shifër. Këto janë skema investimi që njihen në të gjithë botën, në SHBA" - tha Kërpaçi.

Punësimi dhe arsimi janë dy fokuse të tjera të rëndësishme për LSI-në. Kërpaçi thotë se fokusi do të jetë arsimimi i të rinjve, nëpërmjet internshipeve apo bashkëpunimeve mes bizneseve dhe shtetit për t'i dhënë mundësi të rinjve të ushtrojnë profesionin apo zanatin e tyre.

"Pika shumë e rëndësishme për ne është arsimi. Ka pasur vetëm shkatërrim në këtë sektor. Kemi një brez që nuk ka marrë arsim cilësor e do të largohet nga Shqipëria. Ne do vendosim një taksë për 200 kompani të oligarkëve. Kompanitë VIP do taksohen me 1% dhe do alokohet për arsimin. Nëpërmjet kësaj, do arrijmë një nevojshmëri të madhe, rritja e buxhetit me 5%.  Është e realizueshme, por është çështje vullneti dhe prioriteti. Kjo qeveri nuk e ka pasur kurrë në vëmendje. Ka larguar 300 mijë qytetarë nga Shqipëria, aq sa premtoi për hapjen e vendeve të punës. Ne kemi prioritet programin mëso dhe fito. Duam të rrisim një brez që mëson, por mëson dhe kulturën e të punuarit. Kjo ndahet me internshipe për studentë, por ky program fillon që tek gjimnazistët. Këta të fundit nuk kanë një orientim me tregun e punës. Ky është projekt ambicioz. Ka partneritete që lidhen mes bizneseve dhe shtetit" - tha Kërpaçi.