1 mld lekë prona/ Apeli i Krimeve të Rënda rrëzon Adriatik Llallën, lë në fuqi sekuestron

9 Gusht 2018, 17:30

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla duke lënë fuqi sekuestron e pronave të tij. Llalla kërkoi rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe rikthimin e tyre në gjendje të lirë. Ankimi i Llallës u depozitua nga avokati i tij Sokol Hazizaj, i cili kërkoi nga gjykata të heqë sekuestron ndaj pasurive të tij. Vetë avokati mbrojtës nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës së sotme.

Pak ditë më parë, me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Llallës iu sekuestruan mijëra m2 tokë bujqësore dhe truall pasi ai është në hetim me akuzën e pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Llalla prej kohësh qëndron jashtë vendit, ndërsa prej 5 ditësh është rikthyer në Shqipëri nga ku dhe ka nisur betejën në Gjykatën e Apelit për të liruar nga sekuestro pasuritë e tij, betejë të cilën ai e humbi sot. 

Pasuritë që iu sekuestruan Llallës: 

Apartament banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës;

Tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë;

Tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë; 
 
Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Policisë së Shtetit Tiranë në datën 23.07.2018 ka ekzekutuar vendimin gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme të mësipërme. Vlera e tregut e pasurive të paluajtshme të mësipërme, në total është në shumën 98.772.000 lekë