Emra të njohur të sistemit të drejtësisë shqiptare, disa të kallëzuar për fshehje pasurie, do të dalin para Vetingut gjatë vitit 2020, për t’u njohur nga trupat gjykuese përkatëse për rezultatet e hetimit ndaj tyre për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Hetimet për disa prej tyre, ku janë angazhuar edhe përfaqësues të SHBA-BE në Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, kanë nisur që gjatë vitit 2018. Gjatë javëve dhe muajve të parë të 2020, pritet të dalin para Komisionit të Vetingut gjyqtarët Gjin Gjoni, Fatmira Hajdari, Gerd Hoxha, Neritan Cena, Evjeni Sinojmeri etj. Gjyqtarët janë pjesë e një liste me 36 emra të përzgjedhur me anë të shortit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit që në 11 nëntor të vitit 2018, për t’ju nënshtruar Vetingut. Më shumë se një vit kohë duket se nuk ka mjaftuar për KPK-në për përfundimin e hetimit administrativ ndaj tyre.
Gjyqtari i Apelit Gjin Gjoni bën pjesë në listën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët janë kallëzuar penalisht nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive për deklarim të rremë, falsifikim kontratash, fshehje pasurie etj., por që nuk kanë dalë kurrë para gjykatës për këto akuza. Disa subjekte të kësaj liste kanë dalë para Vetingut, ndërsa të tjerë kanë dhënë dorëheqjen. Gjatë vitit 2020 pritet të dalë para Vetingut edhe drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, për të cilën verifikimet kanë nisur që në shtator të 2018. Imeraj fundit ishte pjesë e grupit të prokurorëve që i kërkuan Kuvendit autorizimin për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ajo vendosi të ndante bashkëshortin me pretendimin se nuk i kishte treguar për një konflikt fizik me kryetaren e KPK-së, Genta Tafa Bungo. Edhe zonja Shpresa Beçaj, ish-kryetare e Gjykatës së Lartë, pritet të dalë para Vetingut gjatë vitit 2020. Beçaj është pjesë e një liste me 36 gjyqtarë dhe prokurorë të përzgjedhur me 15 janar 2019 për t’iu nënshtruar Vetingut.
Verifikimet kanë nisur edhe për prokurorin Dritan Gina, bashkëshortin e Rovena Gashit, e shkarkuar nga të dy shkallët e Vetingut për probleme me pasurinë. Gina u përfshi në një përplasje me ish-kryeprokuroren Arta Markun, ku bëri rezistencë për të dalë nga zyra e drejtuesit e të Prokurorisë së Elbasanit. Sipas të gjitha gjasave, Gina pritet të dalë para Komisionit të Vetingut gjatë vitit 2020. Po ashtu, është përzgjedhur për t’ju nënshtruar Vetingut edhe gjyqtari i Vlorës, Ken Dhima. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në maj të 2018 kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Vlorë, Ken Dhima, me pretendimin se kishte kryer shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Kërkesa për shkarkim u hodh poshtë nga KLD në atë kohë. Gjatë vitit 2020 pritet të dalë para Vetingut edhe Prokurori i Durrësit Arian Ndoja, i cili ishte objektiv i një atentati në fillim të muajit nëntor të 2019 tek rrethrrotullimi i Shkozeti. Ndoja është pjesë e listës me 120 prokurorë dhe gjyqtarë, të përzgjedhur përmes shortit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në dhjetor të vitit 2019, për t’ju nënshtruar procesit të Vetingut.