10 artistë argjentinas me ritme folku dhe tango në 5 qytete shqiptare

5 Qershor 2019, 17:07

Tradita, arti dhe kultura argjentinase vijnë në Shqipëri. Artistët argjentinas, sjellin në festivalin “Open on tour” kërcimet tradicionale të jetës së përditshme, për të demonstruar se si çdo ditë për ta është festë dhe gëzim. 

Festivali vjen në bashkëpunim me dy balerinët, Enada Hoxha dhe Gerd Vaso. Ndërsa, 10 artistë argjentinas do të dhurojnë për publikun shqiptar një spektakël plot ritme folku argjentinase dhe tango. 

Për koreografen shqiptare, ky festival premton që të sjellë ritëm muzikor, por edhe kostume të bukura argjentinase, që artistët i përdorin për të kërcyer muzikën e tyre.

Për herë të parë grupi Sangre Nativa shpalos folkun dhe kulturën e vendit nëpërmjet valleve karakteristike, ritmike dhe elegante. Pa harruar muzikën melodioze dhe tangon, që vetëm ata dinë ta kërcejnë më së miri. 

Festivali nis në datë 7 qershor ora 19:00 në Korçë. Ndërkohë, në Tiranë do të jenë për tre net radhazi nga data 10 deri në 12 qershor në skenën e Artubinës, ku së bashku me artistët argjentinas do të performojnë edhe Enada Hoxha dhe Gerd Vaso.

Në datën 17 qershor, në Teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës, më 19 dhe 20 qershor në teatrin “Skampa” të Elbasanit, për ta mbyllur me qytetin e Vlorës në datë 27 qershor në Lungomare.