100 'Heronj të Popullit’ në Bulevard, historianët: Është provokim, mes tyre ka emra që s’kanë dhënë jetën në luftë

5 Nëntor 2019, 15:53

“Shqiptarët në Luftën e dytë Botërore”. Kjo është tema që ka bërë bashkë historianë edhe studiues në një konferencë treditore në Muzeun Historik Kombëtar për të diskutuar për pozicionin e tyre gjatë kësaj periudhe. Historianët e cilësojnë evokimin e Luftës Nacional Çlirimtare një ngjarje, e cila duhet që të evokohet në këtë përvjetor të 75-të Çlirimit të Vendit. Historiania e njohur Ana Lalaj, teksa e vlerëson Luftën Nacionalçlirimtare, si ngjarjen më të rëndësishme pas Shpalljes së Pavarësisë në vend, ndalet edhe tek 100 portretet e “Heronjve të Popullit” ekspozuara këto ditë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

“Evokimi i luftës Nacional Çlirimtare Antifashiste në Shqipëri ja vlen që të evokohet. Këtë gjë se bëjmë vetëm ne, por edhe popujt e tjerë. Ajo që unë do të thosha, është që Instituti i Historisë është duke iu përgjigjur kësaj situate edhe kësaj ngjarje të madhe që përkujtohet këtë vit. Sa u përket fotove të vendosura në Bulevard, mendoj se edhe ky është një evokim që ja vlen të bëhet se përkujtohen ato figura që kanë dhënë jetën. Janë heronjtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Por mes tyre janë përfshirë edhe një apo dy figura, të cilëve nuk u takojnë meritat e luftës. Janë emra që kanë dalë edhe në media, por që në këtë rast duhej një kujdes më i madh, se në këtë mënyrë krijohen provokime edhe radikalizohet situata. Radikalizmi i situatës në një krah sjell edhe përgjigje radikale nga krahu tjetër”, shprehet historiania Ana Lalaj.Edhe për historianin Mariglen Kasmi, nderimi i këtyre figurave është i nevojshëm, por në Bulevard duhet që të ekspozohen vetëm fotografitë e atyre personave, që kanë dhënë jetën për çlirimin e Vendit.
“Që të jem korrekt, nuk i di të gjithë emrat që janë përfshirë në këtë listë, por nëse do të flas në parim duke bërë vlerësimin e këtyre figurave historike do të thosha, që nderimi i tyre është diçka e nevojshme. Kushdo që jep jetën në luftë kundër pushtuesit të huaj, për më tepër që të gjithë në foto janë në moshë të re, duhet vlerësuar. Dhënia e jetës është akti më sublim, që dikush duhet që të bëjë për mbrojtën e atdheut. Të gjithë këtë debat nuk dua që ta përfshijë me ideologjinë, për të arritur në përfundimin se janë figura që ndoshta u përdorën apo simbolizojnë ideologjinë komuniste të kohës, sepse në momentin që dikush bie në llogore për të mbrojtur atdheun nga pushtuesi meriton të vlerësohet. Pastaj nëse brenda tyre ka elementë që mund të kenë jetuar edhe pas vitit 1945, patjetër që duhet parë aktiviteti i tyre që kanë pas kësaj periudhe. Qartazi ndaj luftën e nga periudha e pasluftës, duke pas parasysh, që pjesa më e madhe e atyre që dhanë jetën edhe janë përdorur në këto ditë në mënyrë të demontuar në Bulevard nuk e mendonin atë që do të vinte pas vitit 1944, por thjesht dolën në mal për të luftuar për lirinë e vendit. Prandaj, theksoj se duhet parë se çfarë qëndrimi kanë pas luftës, sepse nëse kanë bërë gjëra që nuk duhet t’i bënin, patjetër që duhet riparë në mënyrë kritike”, shprehet historiani Mariglen Kasmi.