100 vite kryeqytet, Veliaj nga Lushnja: Po përgatisim një ligj për Tiranën, Shqipëria përtej PS-së dhe PD-së

4 Shkurt 2020, 15:51 | Përditesimi: 4 Shkurt 2020, 15:51

Nga Lushnja, aty ku 100 vjet më parë mbajti punimet Kongresi i Lushnjes, u përkujtua sot shpallja e Tiranës Kryeqytet i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, çka shënoi edhe çeljen e aktiviteteve festive përgjatë gjithë vitit. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv. Kryeministri Erjon Braçe, kryetari i Bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe, deputetë të zonës dhe drejtues vendorë, nderuan dhe vlerësuan familjet që, në ato vite jo të lehta për vendin, dhanë kontributin e tyre që Tirana të jetë sot qyteti që përfaqëson shqiptarët. Kryebashkiaku Veliaj tha se vendimet e rëndësishme që u morën në Kongresin e Lushnjes përcaktuan fatet e vendit.

Ishin ditë, orë, pse jo edhe minuta, që vunë në provë ata baballarë të kombit tonë, që morën një vendim jo në një sallë moderne me poltrona, por në kushte jashtëzakonisht të vështira betejash, në dallim nga vendimet që do të duhet të marrim sot, ku shpesh herë pengesat ia bëjmë vetë njëri-tjetrit. Ishte shpirti i atyre burrave dhe dashuria për Shqipërinë për t’i dhënë zgjidhje një problemi kardinal për vendin. Në fakt, Tirana kryeqytet ishte një ide e vjetër që nga Rilindja. Në këtë karvan, që përbëhej nga rreth 100 burra me qeverinë, Këshillin e Lartë dhe Këshillin Kombëtar, bashkë me ata që e shoqëronin, një forcë madhore i çoi në Tiranë atë ditë shkurti, që morën udhë pikërisht nga Lushnja e madhe e atyre ditëve. Sot, pas një shekulli, ne si Tiranë i jemi pa fund mirënjohës Lushnjes dhe Kongresit të saj, të cilët na dhanë kryeqytetin që sot mbush 100 vjeç”, deklaroi Veliaj, njofton zyra e shtypit të bashkisë. 

r.k./Shqiptarja.com