Gjatë pasdites së djeshme është hapur ekspozita e 100-vjetorit, me foto, libra e dokumentarë për 100-vjetorin e Vllaznisë, në ambientet e bibliotekës "Marin Barleti".Më 16 shkurt të vitit 1919, 75 përfaqësues të mbledhur në Shkodër, krijuan atë që sot të gjithë tifozët e njohin me emrin Vllaznia, skuadra shkodrane me ngjyrat kuqeblu, 9 herë fituese e titullit kampion dhe 6 herë fituese e Kupës së Shqipërisë.
Te kjo Vllazni kanë hedhur hapat emra legjendarë të futbollit tonë, si i madhi Loro Boriçi, Lin Shllaku, Sabah Bizi, Ferid e Ramazan Rragami, Mehdi Zhega, Paulin Ndoja, Luan Vukatana, Hysen Zmijani, Fatbardh Jera, Astrit Hafizi e Hysen Dedja apo dhe të mëvonshmit Edi Martini, Armir Grima, Vioresin Sinani apo Hamd Salihi.
Kryetarja e Bashkisë Shkodër në një intervistë për mediat ka folur rreth rëndësisë së kësaj date por edhe hapjes së shpejti të muzeut të klubit Vllaznia. Ky 100-vjetor e gjen Vllazninë në orë të këqija. Ekipi ndodhet në Kategorinë e Parë dhe ka një problematikë të gjerë që e shoqëron prej vitesh. Titulli i fundit kampion është regjistruar në vitin 2008, ndërsa një sezon më pas tifozët e zjarrtë shkodranë kanë shijuar të fundit Vllazni kompetitive.