“100-vjetori i lindjes, Fellini në botë”, kineasti i oskarëve përmes objekteve e vizatimeve në Tiranë

15 Shtator 2020, 16:15

“Nëse do të tentoja që të jepja një përkufizim të saktë të asaj që më nxit, e mënyrës sime të të jetuarit dhe të menduarit, mendoj se është pikërisht kjo, që ti hapësh veshin dhe zemrën diçkaje që thuajse është harruar dhe që nuk do të doje që të harrohej”. Kështu e ka cilësuar artin e tij mjeshtri i kinemasë italiane, por edhe i gjithë botës, fituesi i disa oskarëve në kinematografi Federico Fellini (Rimini, 20 janar 1920- 31 tetor 1993, Romë), që në këtë 100-vjetor të lindjes vjen përmes ekspozitës “"Njëqindvjetori. Fellini në botë " edhe në  Qendrën për Hapje edhe Dialog. Kuratori Gentian Gjikola rrëfen ekspozitën, që ka udhëtuar në 10 kryeqytete ndërkombëtare, në Tiranë.

“Ka qenë një kënaqësi e veçantë, që të kemi Fellinin në COD. Është një ekspozitë e konceptuar në Itali në 100-vjetorin e tij të lindjes, që po udhëton në të gjithë botën. Është një ekspozitë që zhvillohet në shumë rrafshe, edhe shumë dimensionale”, shprehet Gjikola.

Filmografia, fotografitë, dokumentet, kostumet, posterat dhe objektet e sendet personale të Fellinit, mbi 120 vizatime të tij dedikuar miqve, apo edhe letrat e dashurisë për Giulietta Masina-s, rrëfejnë jetën edhe veprën e kineastit, që i dha emër kinematografisë italiane në mbarë botën.

“Është shumë e vështirë që të përmbledhësh punën e një regjisori, puna e një regjisori është filmi vet. Kemi kostume, postera nga filmat, “La Strada", "La Dolce Vita", "8 ½ " &"Amarcord" etj., lëvizje gjatë xhirimeve, artefakte edhe letra të shkruara prej tij për të shoqen apo edhe mbesën”, shprehet Gjikola.

Ekspozita e mundësuar nga Instituti Italian i Kulturës është kuruar nga Vincenzo Mollica, Alessandro Nicosia dhe mbesa e tij, Francesca Fabbri Fellini, të cilat për shkak të Covid 19 nuk ishin të pranishme në këtë inaugurim në COD. Ekspozita do të vazhdojë që të qëndrojë hapur në Qendrën për Hapje edhe Dialog në Tiranë.