100-vjetori kryeqytet, Veliaj nderon familjet tiranase: Bibliotekë dhe Teatër i ri Kukullash

11 Shkurt 2020, 20:11

Me rastin e  100-vjetorit të shpalljes si Kryeqytet, Bashkia e Tiranës nderoi sot me medalje mirënjohje disa nga familjet më të nderuara tiranase, të cilat kanë kontribuar ndër vite për qytetin.  
 Në ceremoninë e dedikuar kësaj ngjarje të rëndësishme të kombit shqiptar, merrnin pjesë  deputetë, anëtarë të qeverisë, kryetarë bashkish nga vendi dhe trevat shqiptare, personalitete të klerit dhe të kulturës shqiptare si dhe pasardhës të familjeve të vjetra të zonës.  

Kreu i Bashkisë u shpreh se në këtë 100-vjetor, Tirana vjen si një kryeqytet me aspiratën për t’u bërë një qytet modern dhe evropian. “Unë ndihem i përkëdhelur, i privilegjuar nga fati që më takoi mua, më rastisi mua të jem kryetari i Bashkisë kur mbushen fiks 100-vite nga momenti kur qeveria e Sulejman Delvinës, hyri në Tiranën që u bë kryeqytet në atë kohë. Jam i lumtur që jemi sot të gjithë bashkë në këtë ditëlindje të parë të shekullit të  parë të Tiranës kryeqytet. Tirana nuk është perfekte, por megjithatë ka një aspiratë të bëhet një qytet modern dhe ëpian dhe shumë punë na pret përpara në këtë drejtim.  Ta gëzojmë 100-vjetorin e Tiranës dhe le të endim në jetët e të tjerëve një monument që vlen më shumë se çdo monument guri dhe që është dashuria dhe respekti që kemi për njëri-tjetrin”, theksoi ai.