101-vjetori i lindjes, rrëfimi i 'babait' të kriminologjisë shqiptare, Ismet Elezi: Politikanët të mos pengojnë reformën në drejtësi!

8 Prill 2021, 20:25

Profesor Ismet Elezi në këtë prill festoi datëlindjen e 101. Urimet që mori nga të afërmit, miqtë edhe ish- studentët e tij, ia kanë bërë zemrën mal, duke i shtuar mirënjohjen ndaj tyre, pavarësisht se ende nuk e gëzon një titull nga Presidenti i vendit. Pengesë për këtë mesaduket ka qenë puna 20-vjeçare që ka bërë në këshillin e Ministrave në Qeverinë e drejtuar nga Mehmet Shehu. Por Elezi na tregon se ka qenë jurist për të bërë ligjet, ka kryetar i byrosë juridike dhe jo sekretar personal apo ministër i Mehmet Shehut. Megjithatë, në këtë rrëfim profesori i të Drejtës Penale dhe ‘Babai i kriminologjisë shqiptare’ Ismet Elezi, i cili 80 vite të jetës së tij ia ka kushtuar drejtësisë në vend, duke nxjerr për pesë dekada gjatë punës si pedagog, njerëzit e ligjit dhe si autor i rreth 230 botimeve ( 34 libra, monografi edhe artikuj shkencorë) rendit për “Report TV” shqetësimet që ka aktualisht për ligjet që kthehen nga Presidenti i vendit në Kuvend, rëndësinë dhe zvarritjen e reformës në Drejtësi dhe ndërhyrjet e herëpashershme në Kushtetutën e vendit nga politika. Por përpos këtyre shqetësimeve profesionale, Elezi na rrëfen edhe sekretin e jetëgjatësisë së tij, regjimin gjerman, prej të cilit nuk ka hequr dorë asnjë ditë.

Zoti Elezi, profesor 5 prilli i 2021-it përkoi me 101-vjetorin tuaj të lindjes. Si jeni ndierë këtë periudhë?Vitin e kaluar pata 100-vjetorin e lindjes. Mora telefonata dhe mesazhe të panumërta. Për këtë u jam shumë mirënjohës atyre që më vlerësojnë dhe që shfaqin opinione pozitive. Këto mua më japin zemër, se jam i moshuar. Por, të them të drejtën dhe në këtë 5 prill, që përkoi me 101 -vjetorin numri i telefonatave nga miq, kolegë, ish studentë edhe bashkëfshatarë u përsërit. Kjo ka qenë një kënaqësi e veçantë, se gjatë 55 viteve si pedagog kam dhënë shumë. Për këtë jam shumë i kënaqur dhe ndiej krenari që s’më ka vajtur puna dëm. Edhe vlerësimet që janë bërë kanë qenë shumë të larta, ndoshta dhe të pamerituara. Pasi vjet pata vlerësime të larta në medie, grupe kolektive kanë propozuar Presidentit që të më akordojë një titull, por Presidenti si mori parasysh, pasi unë kam qenë kryetar i byrosë juridike në Këshillin e Ministrave në kohën e Qeverisë së Mehmet Shehut. Kjo është bërë pengesë. Unë punova 20 vite në kryeministri, 17 vite kur ishte kryeministër Mehmet Shehu edhe tre vite pas tij.