102-vjetori i lindjes shkrimtares së parë shqiptare, Musine Kokalarit, që refuzoi të ishte komuniste

10 Shkurt 2019, 16:32

Shkrimtarja e parë shqiptare, e cila dha kontribut të madh në letërsi dhe i kushtoi vëmendje gruas shqiptare, Musine Kokalari ka sot 102-vjetorin e lindjes.

Shkrimtarja disidente e vlerësuar për tregimet me karakter moral, për përrallat edhe rrëfenjat e frymëzuara nga folklori toskë. 

Në veprat e saj mbizotëron tensioni qytetar edhe mendimi demokrat, cilësi këto që i ruajti deri në ditët e fundit të jetës së saj, gjatë përndjekjeve që i bëri regjimi komunist shqiptar.

Musine Kokalari u rrit në një familje intelektualësh, mes librave me përralla, rrëfenja, histori edhe me gametafonin, ku dëgjonte muzikë tradicionale shqiptare në vendlindjen e saj, në Gjirokastër. Kreu institutin “Motrat Qiriazi” dhe shkollën e mesme “Nana Mbretneshë”, për të vijuar më pas studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë në La Sapienza në Itali.