104 të prekur me koronavirus!Shtohen në hartën e qyteteve të infektuara Vlora e Shkodra!5 të shëruar

23 Mars 2020, 14:40 | Përditesimi i fundit: 2020-03-23 17:09:21

TIRANË- Koronavirusi po shton me shpejtësi jo vetëm numrin e rasteve, por po zgjeron dhe hartën e qyteteve ku ka persona të infektuar. Brenda 24 orëve janë konfirmuar 104 të prekur me koronavirus në Shqipëri, nga 45 testime të kryera, teksa ka shkuar në 4 numri i viktimave.

Harta e qyteteve të prekura tashmë është shtrirë edhe në Vlorë me katër të infektuar dhe Shkodër me një rast të ri.  Sa i përket rastit në Vlorë, burime i thanë Shqiptarja.com se bëhet fjalë për një familje që jeton në qendër të qytetit dhe kanë një biznes, çka ekziston rreziku të ketë pasur kontakte me shumë qytetarë që mund t'i kenë infektuar, për këtë arsye u bëhet thirje të gjithë qytetarëve që kanë frekuentuar këtë biznes të vetëkarantinohen. Mëngjesin e sotëm zona ku jetonte 57-vjeçari me familjen e tij është dezinfektuar. Ndërsa për rastin e Shkodrës, mësohet se ajo ka qenë për vizitë rreth 3 javë në Tiranë, nga ku mendohet të jetë infektuar.

Teksa nga njëra anë shtohen rastet e personave të prekur, nga ana tjetër ka disa shifra optimiste nga Spitali Infektiv në QSUT, ku kanë lënë ditën e sotme spitalin dhe 2 pacientë të tjerë, duke e çuar në 5 numrin e të shëruarve. Në komunikimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë sqarohet se 49 pacientë ndodhen aktualisht të shtruar te spitali Infektiv, 3 prej tyre janë në terapi intensive, e ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Harta e qyteteve të prekura
•       Tiranë          68 qytetarë
•       Durrës     7 qytetarë 
•       Lushnje       2 qytetarë
•       Elbasan       2 qytetarë
•       Fier            12 qytetarë
•       Rrogozhinë   2 qytetarë
•       Kavajë          3 qytetarë
•       Korcë            3 qytetarë
•       Vlorë            4 qytetarë
•       Shkodër        1 qytetarë