107-Vjetori i Policisë, Hajdarmataj: Inkriminimi nis nga majat, janë riaktivizuar grupet kriminale

13 Janar 2020, 15:57

Viti 2020 do të niste jo pak i qetë nisur nga ngjarjet e rënda kriminale që shkaktuar 4 viktima në 9 ditë. Në një intervistë për Report Tv, ish drejtuesi i policisë Arben Hajdarmataj shprehet se ka një riaktivizim të grupeve të vjetra kriminale.

“Fatkeqësisht ky vit nuk ka nisur hiç mirë përsa i përket kriminalitetit. Ka një riaktivizim këtë vit të grupeve të vjetra të hasmërive të vjetra. Ka një tendencë të riaktivizimit të grupeve të vjetra. Pra, ne kemi bërë një goditje, kur është bërë të këtyre grupeve, tani po riaktivizohen.

Për mendimin tim, këtu ka të bëjë edhe puna e dobët e Policisë së Shtetit përsa i përket parandalimit sepse këto janë ngjarje që nuk kanë ndodhur në moment dhe nuk ka pasur për shkak të konflikteve të çastit” tha Arben Hajdarmataj, ish-drejtues policie.

Për Hajdarmatajn, inkriminimi brenda uniformave blu vjen nga majat e policisë e deri tek efektivi më i thjeshtë. “Edhe policia nuk është imune 100% ndaj përfshirjes së punonjësve të saj në veprimtari kriminale. Në këtë kontekst, unë kur shoh që goditen punonjës policie për çfarëdo lloj krimi e korrupsioni, sepse duhet të pastrohet policia sa është e mundur nga këta elementë.

Por e shoh që e keqja më e madhe e kësaj situate është sepse policia sot është e inkriminuar në një pjesë shumë të madhe të saj. Këta njerëz, në momentin që inkriminohen nuk janë të lirë që të veprojnë. Kërcënimet, mendoj unë, për punonjësit e Policisë së Shtetit, vijnë në 90% të rasteve kur ti bëhesh palë me njërën nga pjesët e krimit" tha Arben Hajdarmataj.

Ish drejtuesi i policisë thekson më tej se ndihet i inkurajuan kur policia godet krimin dhe keqardhje kur efektivët janë të lidhur me bandat kriminale. Në 107 vjetorin e krijimit të policisë, Hajdarmataj shprehet se çdo efektiv policie duhet të punojë me ndershmëri e përkushtim duke mos pasur kështu edhe kërcënime në jetën e tyre.