11 viktima nga Gripi i Ri në Shqipëri, 223 të prekur (11 raste sot) 79-vjeçari pësoi infarkt! 44 të shëruar

30 Mars 2020, 14:11

TIRANË- Rëndohet bilanci i viktimave me koronavirus në Shqipëri duke shkuar në total në 11, teksa gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar pozitiv me COVID-19 11 raste të reja (gjithsej 223 të infektuar). Mëngjesin e sotëm ka humbur jetën një 79-vjeçar nga Tirana, me inicialet B.H., i cili ishte shtruar në spitalin Infektiv prej 18 ditësh. Referuar burimeve zyrtare, gjendja e tij shëndetësore ka pasur përmirësime, por ndërroi jetë si pasojë e një infarkti kardiak. 

"Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin Infektiv një pacient 79-vjeçar nga Tirana, i konfirmuar me COVID-19. 79-vjeçari me inicialet B.H. ishte prej 18 ditësh i shtruar në spitalin infektiv. I moshuari ishte përmirësuar ditët e fundit por ndërroi jetë nga një infarkt kardiak. 79-vjeçari është viktima e 11 e prekur nga COVID-19 në Shqipëri. Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit", njofton Ministria. Një lajm jo i mirë vjen edhe nga Spitali Infektiv ku ndodhen të shtruar 74 pacientë. Ministria e Shëndetësisë bën me dije se 7 prej pacientëve janë në terapi intensive, nga të cilët 4 janë të intubuar. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 124 raste, ndjekur nga Fier, Shkodra, Tropoja dhe Korça. Edhe bluzat e bardha nuk kanë mbetur të paprekur nga ky virus, ku nga 223 të infektuar 32 mjekë dhe infermierë kanë rezultuar pozitiv, teksa 8 prej tyre ia kanë dalë ta fitojnë këtë betejë.