111 qytetarë në rrugë jashtë orarit të lejuar, 20 shoferëve u bllokohen makinat...Gjobiten 9 aktivitete tregtare

1 Prill 2020, 14:56 | Përditesimi i fundit: 2020-04-01 17:08:25

111 qytetarë janë gjobitur në 24 orët e fundit me 10.000 lekë, pasi u kapën nga policia duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, në orët e pasdites, pa ndonjë arsye apo emergjencë, pra jashtë orarit të lejuar që është ora 13:00.

20 shoferë gjatë 24 orëve të fundit kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim të makinës.

Ndërkohë, në Elbasan është arrestuar një 33-vjeçar pasi drejtonte makinën në gjendje të dehur, në masën 0.70 mg/l.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes, njofton policia.

"Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa. Policia apelon për qytetarët se nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi. Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19", apelon policia.