120 punonjës të një fasonerie në Vlorë kërkojnë pagën e luftës: Duam të dimë pse na është refuzuar

29 Maj 2020, 09:10 | Përditesimi i fundit: 2020-05-29 09:16:46

120 punonjës të një fasonerie në Vlorë kanë protestuar në lidhje me pagën e luftës të cilët shprehen se nuk e kanë përfituar.

Protestuesit janë pjesë e një fasonerie këpucës dhe shprehen se nuk kanë marrë pagën e luftës edhe pse pronari i biznesit u kanë thënë  se ka aplikuar.

Të grumbulluar pa asnjë masë mbrojtëse dhe distancë sociale, punonjësit prej orëve të të para të mëngjesit kërkojnë të dinë se pse u është refuzuar paga e luftës.

"Kemi punuar me orar të reduktuar dhe nga data 20 prill kemi qenë në shtëpi. Biznesi ka bërë aplikimin dhe tatimet na kanë refuzuar pagën luftës. Duam të dimë pse, duam shpjegim pse e refuzuan. Dje në mëngjes na erdhi  letra që nuk është pranuar. Na thanë se nuk e përfitoni, duam të dimë pse", tha një punonjëse.

"Duam lekët tona, duam gjakun e fëmijëve tanë. Kemi vënë fëmijët tanë në rrezik që vinim punonim këtu duke rrezikuar dhe jetën e atyre që kemi në shtëpi", tha një tjetër.