TIRANE-Në mbledhjen e tetë të jashtëzakonshme të qeverisë kryeministri Edi Rama deklaroi se po kopsiten të gjitha dosjet për ata që abuzuan me ndërtimet dhe do të dalin para drejtësisë. Procesi, tha Rama nuk mund të bëhet sa hap e mbyll sytë, pasi dosja po përgatitet mirë në mënyrë që të mos shfrytëzohet nga KÇK-ja. Gjithashtu ai tha se në Tiranë do të bëhen tre lagje të reja dhe jo dy, të cilat do të jenë te '5 Maji', Kombinat dhe në Shkozë. Nga Laçi do të fillojnë rindërtimet e para pas tërmetit. Kryeministri më pas u ndal te personat që janë strehuar aktualisht duke kërkuar që ata që ndodhen në Kosovë të rikthehen në Shqipëri në hotele.
"Sot kemi 22 persona që vijojnë që të marrin shërbim në spital, nga të cilat 16 në Tiranë, 3 në Durrës dhe 3 jashtë vendit. Gjendja e atyre që po kurohen në Shqipëri është stabël dhe gatishmëria për të spostuar këdo është e plotë. Ministria ka siguruar që në moment që mund të duhet një transferim jashtë kjo të ndodhë pa asnjë vonesë. Përsa i përket strehimit sot kemi kapërcyer numrin e 4 mijë personave në hotele, 254 janë në palestra dhe shifra e përafërt e atyre që janë në cadra, por këtu vijon puna për të garantuar cadra dimërore me standarde.
Kemi 6523 persona në çadra, 395 persona në qendra shëndetësore dhe 783 persona në Kosovë. Besa dhe Ogerta do të kërkoja të shkonin në kampin në Kosovë për të bërë një vizitë dhe për t'u ofruar që të kthehen dhe të akomodohen në hotele. Ka edhe një grup 436 persona të regjistruar në strehtë të ndryshme. Sot në total janë 12300 persona në këtë strukturë emergjence" tha ai.
Bilanci i të lënduarve në spital dhe të strehuarve
Në spital 22 persona-16 në Tiranë-3 në Durrës dhe 3 jashtë vendit
Në total 12300 persona në strukturë emergjence
6523 persona në çadra
Mbi 4 mijë të strehuar në hotele
254 janë në palestra
395 persona në qendra shëndetësore
783 persona në Kosovë
436 persona në strehë të ndryshme
Ai bëri një bilanc edhe të gjithë objekteve të dëmtuara, ndërsa kërkoi që të vijohet sa më shpejt pa u vonuar dhe pa pushim me shembjet e të gjitha objekteve që janë shpallur të pabanueshme jashtë funksionit. "Duhet të shembim pa pushim Kombinat, Laç, Durrës, në zonën e Lezhës të identifikojmë edhe njëherë nëse ka pallat për të shembur. Prishjet të bëhen non stop pa u vonuar" tha ai.
Bilanci i godinave
27 objekte janë shembur deri tani
31 objekte arsimore me dëme
21 janë shëndetësore me dëme
Në Durrës 4121 objekte të inspektuara -1735 të pabanueshme, por vetëm 59 për t'u shembur.
Në Tiranë 3656 objekte të inspektuara-604 të pabanueshme dhe 2656 me dëme të rënda
Në Lezhë të dëmtuara rëndë 55 pallate dhe 13 institucione
Dëmet në blegtori janë minimale, por do të kompensohen të gjitha