13 emigrantë në Korçë dalin nga karantina me borxhe: S’kishim lekë të paguajmë hotelin,çmimi i lartë

22 Prill 2020, 14:53

KORÇE- Paraditen e sotme pas 14 ditëve karantinë janë larguar drejt banesave të tyre 13 emigrantë të tjerë që u futën dy javë më parë nga pika e Kapshticës në kufi me Greqinë. Por problem mbetet likuidimi i hotelit, për të cilët thonë se janë detyruar që të marrin borxh për të shlyer pagën pasi ishte më e lartë nga sa u ishin thënë në fillim. Çmimi që duhet të paguajë një person për qëndrimin 14 ditor është 35 mijë lekë. Sipas tyre u është thënë që do të paguajnë 1200 lekë për një person në ditë, që do të thotë rreth 17 mijë lekë, por në fund u është thënë që të shlyejnë dyfishin e shumës.

"Kushtet ishin shumë të mira edhe kontrollet. Kemi paguar 700 mijë lekë bashkë me djalin. Nënshkruam dokumentet që në doganë por atje na dhanë çmim tjetër kurse këtu dhamë më shumë" u shpreh njëri. Ndërsa një tjetër u tha se "Kemi paguar 350 mijë lekë (të vjetra) edhe ushqimi dhe hoteli, shkova për punë dhe një pjesë të lekëve i lashë këtu".