13 raste të reja me koronavirus në Shqipëri, në total 89 të infektuar

22 Mars 2020, 11:37 | Përditesimi i fundit: 2020-03-22 14:07:26

13 raste të reja me koronavirus në Shqipëri, në total 89 të infektuar.

"Tre pacientët e parë lënë spitalin, por shkon në 43 numri i të shtruarve në Infektiv. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, informon mbi situatën e COVID-19 në Shqipëri. Në vijim të komunikimit të përditshëm më Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve të konfirmuara pozitive.

Në 24 orët e fundit janë testuar 33 persona të dyshuar, prej të cilëve janë konfirmuar 13 raste të reja me COVID-19:
- 8 qytetarë nga Tirana, 1 nga Kavaja, 1 nga Durrësi dhe  3 qytetarë nga Korça.

Deri në këto momente janë testuar 804 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 89 raste. 
Nga totali i rasteve të konfirmuara, 58% janë meshkuj dhe 42% janë femra.  Mosha mesatare e totalit të rasteve pozitive është 48 vjeç. Ndërsa shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon: 

•    Tiranë        63 qytetarë
•    Durrës        6 qytetarë 
•    Lushnje     2 qytetarë
•    Elbasan      2 qytetarë
•    Fier              8 qytetarë
•    Rrogozhinë    2 qytetarë
•    Kavajë             3 qytetarë
•    Korçë              3 qytetarë


Janë shënuar deri tani dy raste humbje jete.  Ju informojmë se tre pacientët e parë kanë lënë aktualisht spitalin të shëruar por theksojmë se, pas daljes nga spitali, pacientët e rikuperuar duhet të qëndrojnë në vetëkarantinim edhe për 14 ditë të tjera, duke ndjekur masat e kontrollit respirator dhe higjienën personale.
Ndërsa është rritur numri i pacientëve të shtruar në spitalin Infektiv, ku ndodhen aktualisht 43 pacientë. 
4 prej tyre janë në terapi intensive, në situatë të njëjtë klinike.  Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.
Mosha mesatare e rasteve të hospitalizuara është 54 vjeç.
Jemi duke vijuar me testimin e rasteve të dyshuara, si element i rëndësishëm për ndërprerjen e zinxhirit të transmetimit të infeksionit COVID-19.