1.3 ton kokainë e kapur në Maqedoni hyri në Shqipëri me trajler në dijeni të DEA-s, GdF dhe SPAK

19 Shkurt 2020, 21:20

Rreth 1.3 ton kokainë janë sekuestruar pasditen e sotme në një magazinë të madhe frutash në fshatin Krushopek të Komunës së Sarajit në Maqedoninë e Veriut. DEA dhe autoritetet italiane, prej ditësh ndiqnin hetimet dhe rrugën e trajlerit me kontenierë, ndërsa ai ka kaluar përmes Shqipërisë për të shkuar në Maqedoninë e Veriut, nën monitorimin e SPAK, për të kuptuar nëse lënda narkotike kishte lidhje me grupet kriminale shqiptare. Kokaina fillimisht është nisur nga Amerika Latine me trajler që transportonte banane dhe ka zhvilluar itinerarin Itali-Mali të Zi-Shqipëri-Maqedoni e Veriut dhe kishte destinacion final Koper, në Slloveni.

Në dijeni të SPAK, trajleri me kontenierë ka hyrë dje në Shkodër nga pika doganore e Hanit të Hotit dhe ka dalë sot në mëngjes nga pika kufitare e Qafë Thanës në Pogradec. Kjo u bë për të parë nëse droga kishte lidhje me grupet kriminale shqiptare, por rezultoi se vendi ynë u përdor thjeshtë transit raporton gazetari i Report Tv Arsen Rusta. Sipas tij gjatë rrugës në Shqipëri, shoferi i kamionit ka bërë vetëm dy ndalesa, një për t'u furnizuar me karburant dhe një tjetër për të konsumuar një kafe.  Sipas gazetarit Rusta, autoritetet italiane kanë sekuestruar pjesën më të madhe të kokainës dhe e kanë zëvendësuar atë, por nuk dihet ende se me çfarë, ndërsa shprehet se janë ndaluar edhe 5 persona në Maqedoninë e Veriut.