135 milionë lekë dëm/ Njerëz të papërgjegjshëm thyejnë info-kioskat në qytetin muze të Beratit

25 Tetor 2019, 22:58

Risia e informacionit multifunksionale në Berat info-kioskë nuk ka mbijetuar gjatë në qytetin që synon të zhvillohet nëpërmjet turizmit. Dy vite pas inaugurimit tetë nga dhjetë info-kioska që i vijnë në ndihmë turistëve për informacion në lidhje me lagjet muze, qendrat muzeale, hotelet, restorantet dhe çdo gjë që i nevojitet gjatë qëndrimit, janë dëmtuar nga njerëz të papërgjegjshëm. Funksionale është vetëm ajo në hyrjen e kalasë dhe ajo në lagjen “30 vjetori”. Specialisti i IT pranë Bashkisë Berat shprehet se për të gjetur autorët është bërë denoncimi në polici.

 “Ne kemi denoncimet pranë policisë Beratit për të gjetur autorët e thyerjes së këtyre info-kioskave. Por për ti vënë përsëri në funksionim presim që të bëhet tenderi, që të jenë përsëri funksionale, në mënyrë që të kryejnë funksionin e tyre, për ti ardhur në ndihmë turistëve” .

"Bashkia duhet të vendosi një person që ti ruaj këto info-kioska në pjesët më të rëndësishme të qytetit. Ajo shërben për turistët që nuk kanë orientim. Lexojnë atë dhe I drejtohen institucionit që kërkojnë." ka thënë një qytetarë.

Shërbimi në to është lehtësisht i aksesueshëm dhe ofrohet në gjuhët shqip dhe anglisht. Mjafton një klikim dhe këto platforma zëvendësojnë fletë palosjet dhe hartat, por nëse nuk merren masa për ruajtjen e tyre, shumë shpejtë ato do të humbasin funksionin. Investimi prej 135 milionë lekë të vjetra u realizua dy vite më pare.