Një prej imazheve që ka shënuar këtë fushatë elektorale meksikane është çasti kur një kandidat për deputet është duke bërë një “selfie” me një simpantizante kur një burrë i mbështetur pas një muri, i maskuar me kapele, afrohet pranë tij nga pas dhe e qëllon me plumb në kokë.
Fernando Puron, kandidat i Partisë Revolucionare Institucionale (PRI), është një prej 136 politikanëve të vrarë që prej fillimit të procesit elektoral, sipas kabinetit të studimit “Etellekt”. Fushata për zgjedhjet e përgjithshme që zhvillohen sot është më e përgjakshmja që ka njohur Meksika.
Në çastin e vdekjes së tij më 8 qershor, Puron, 43 vjeç, sapo kishte dalë nga një debat ku ishte angazhuar publikisht se do të luftonte kartelet e drogës, duke kujtuar përpjekjet që kishte zhvilluar kundër karteleve në shtetin e Coahuila ku kishte patur postin e kryebashkiakut.
“Gjithësej, 48 kandidatë për votimet e 1 korrikut janë vrarë”, thekson Etellekt. Një numër ndjeshëm më i lartë se sa në fushatën e vitit 2012 ku vetëm nëntë personalitete politike ishin vrarë dhe një kandidat. Këto shifra alarmante dëshmojnë për përfshirjen e krimit të organizuar në nivel lokal. Kriminelët përpiqen të kontrollojnë pushtetet politike dhe lokale për të ruajtur ose zgjeruar territorin e tyre dhe që të kenë akses në burimet publike, sipas ekspertëve.