Sot 141 raste të reja me COVID-19 dhe 3 viktima! Tirana qarku më i prekur

12 Gusht 2020, 16:18 | Përditesimi i fundit: 2020-08-12 18:15:49

TIRANË- Tre qytetarë të tjerë kanë humbur betejën me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar në total numrin e viktimave në 208. Viktimat janë regjistruar në Elbasan dhe në Tiranë. "Fatkeqësisht, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen në dy spitalet Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, një 65 vjeçar nga Elbasani dhe dy qytetarë nga Tirana, një 66 vjeçar dhe një 76 vjeçare. I shprehim ngushëllimët familjarëve", thuhet në njoftimin zyrtar.Ministria e Shëndetësisë në bilancin ditor ka njoftuar se janë konfirmuar pozitiv me koronavirus 141 persona, nga 625 teste të bëra. Tiranë mban vendin e parë për numrin të të lartë të rasteve ditore, duke u ndjekur nga Shkodra, Kruja dhe Lezha. "Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive ditore është si vijon: 51 raste në Tiranë, nga 14 raste Shkodër, Krujë, 12 në Lezhë, 9 në Vlorë, 7 në Durrës, 5 në Lushnje, nga 4 raste në Kurbin, Elbasan, Klos, nga 3 raste Korçë, Divjakë, nga 2 raste, Kavajë, Berat, Kamëz, Gramsh, nga 1 rast në Kukës, Vau i Dejës, Selenicë", Dr. Rovena Daja, përfaqësuesja e Institutit të Shëndetit Publik. Gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar 72 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 3552, që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen 116 pacientë të konfirmuar pozitivë me Covid19, 20 pacientë janë në terapi intensive, 4 prej të cilëve të intubuar. Nisur dhe nga rritja e rasteve ditore pozitive të ditëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale iu bën apel qytetarëve që të respektojnë masat.