LEZHË- Përkujtohet me një aktivitet në Lezhë, 148 vjetori i lindjes së poetit ‘At Gjergj Fishta, ku morën pjesë autoritete të shumta vendore e qendrore, studiues, historianë, shkrimtarë dhe qytetarë të Lezhës. Në ditën e lindjes së poetit, kryefjalë ishte sërish banesa e rrënuar dhe e lënë në harresë e kësaj figure që i dha kaq shumë letërsisë shqiptare. Për këtë Ministrja e Kulturës Elva Margariti në fjalën e saj tha se përveç ndërtimit të shtëpisë ku u lindi dhe u rrit Fishta, do të ndërtohet edhe një memorial në nder të tij.
"Nuk mjaftojnë vetëm fjalët, as veprat e shkruara në letër as takime të tilla dhe as librat në bibliotekë. Të flasësh për Fishtën duhet të njohësh jetën e tij dhe të njohësh jetën e tij duhet të prekësh në vendet që ai ka shkelur. Pra le ta nisim këtë iternerar, këtë rrugëtim me stacionin e jetës së tij në ish-banesën ku ka lindur më 23 tetor të vitit 1871 në fshatin Fishtë të Zadrimës në Lezhë. Atje më tepër se një shtëpi muze ka nevojë të kemi një memorial . Kemi nevojë që të lidhemi jo vetëm fizikisht, por shpirtërisht. Ku të kujtojmë Gjergj Fishtën dhe jo vetëm faktin se aty ndodhet një shtëpi", tha Margariti.
Ndërsa kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu tha se kemi arsye të krenohemi me figurën e Fishtës, por kemi edhe detyrim për ta nderuar dhe respektuar atë. Prandaj Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Kulturës është e gatshme të financojnë ndërtimin e shtëpisë së Fishtës dhe shumë shpejt ai do të ketë shtëpinë e vet.
"Ne kemi arsye të krenohemi, por kemi edhe detyrim. Që të bëjmë çfarë është e mundur që kjo figurë aq komplekse të respektohet e të nderohet duke u bërë çfarë është e mundur që të kompensojmë ato që deri sot nuk i kanë bërë. Kryeministri Edi Rama, Ministria e Kulturës janë të gatshëm të ndërtojnë shtëpinë e Fishtës. Jemi në hapat e fundit të një marrëveshje apo të zgjidhjes së këtij problem. Shumë shpejt Fishta do të ketë shtëpinë e tij", tha Ndreu.
Në aktivitetin për 148 vjetorin e lindjes së At Gjergj Fishtës nuk munguan poezitë dhe këngët në nder të tij. Ndërsa Bashkia e Lezhes për të parën herë pas 30 vitesh ka hapur dyert e muzeut etnografik. Në këtë muze janë prezantuar elementet më përfaqësues të kulturës së Lezhës.