15 fëmijë me makina të rastit në shkollë, në fshatin Plan të Bardhë prindërit refuzojnë klasat kolektive

13 Tetor 2020, 20:11

Reshjet po i mundojnë fëmijët në Plan të Bardhë të Klosit. Rreth 20 minuta në këmbë deri në asfalt për të gjetur makinë të rastit drejt shkollës. Prindërit kërkojnë transport të sigurt për fëmijët nga fshati deri në Klos, 12 km larg.

"Janë 15 fëmijë të lagjes që i gjen ora 10 pa gjetur fugon për të shkuar tek shkolla. U bënë disa herë që e kemi ngritur kërkesën te bashkia, te arsimi. Arsimi na ka thënë se nuk kemi çfarë të bëjmë më tepër, kaq mundësi kemi. Shkolla e Planit të Bardhë është larg, si me shkuar në Klos, si me shkuar në Plan të Bardhë në rrugë këmbësore çfarë garancie kam unë se ka edhe kafshë të egra rrugëve. Tani vazhdon edhe furtuna, nuk mundemi me i dërguar atje" tha Agron Skordha, banor i fshatit.

Plan i Bardhë po braktiset dhe ato pak familje refuzojnë ti çojnë fëmijët në shkollën e fshatit pasi mësimi bëhet në klasa kolektive

Fiqiri Kuka gjyshi i fëmijëve që kanë shqetësimin thotë se: "Ne dalim që në mëngjes dhe deri në drekë rrimë në rrugë, duke pritur makina të rastit. Fëmijët rrinë gjithë ditën në rrugë, se i shtyp makina, se vijnë apo jo në shtëpi, nuk dimë gjë. Unë mendohem për këtë punë për fëmijët e fëmijëve, se unë vetë jam 84 vjeç."

Report Tv u interesua pranë Drejtorisë Arsimore të Klosit, ku mësojmë se tenderi për transportin e fëmijëve të fshatit Plan i Bardhë ka dështuar.