1.5 metër borë, fshati Panarit në Korçë në izolim! Banorët ecin 6 orë në këmbë për të transportuar ushqimet

21 Janar 2021, 20:20

Prej një jave fshati Panarit vijon të jetë i izoluar për shkak të reshjeve të shumta të borës që përfshinë juglindjen e vendit disa ditë më parë. Trashësia e borës e cila ka arritur deri në 1.5 m si dhe prezenca e akujve e ngricave ka bërë që të paralizohen totalisht hyrje- daljet në fshat ,duke izoluar kështu 200 banore të kësaj zone.

Për të shkuar deri në Panarit me fuoristradë është e pamundur.

Nga Korça deri në fshatin Shtyllë rruga është e vështirë por e kalueshme me zinxhirë. Më tej drejt Panarit duhet të ngjitesh në këmbë.

"Nuk shkon as makina, as asnjëgjë hiç. shumë keq", tha një banor.

"Nuk shkon asnjë lloj makine. Edhe në këmbë nuk ecet. 5-6 orë duhet për të hipur", u shpreh një tjetër.

Burrat transportojnë me mushka ushqimet për familjet e tyre, ndërsa vështirësinë më të madhe e kanë për të siguruar bazën ushqimore për gjënë e gjallë.

"Nuk i kam siguruar dot të gjitha. Kam blerë atje poshtë. Kam shumë lopë", tregoi një banor tjetër.

Përpos izolimit ata po përballen dhe me mungesën e energjisë elektrike.