15 mijë e 464 viktima nga COVID-19 në Britani/ Qeveria zgjati kufizimet deri me tre javë! Johnson drejt rikuperimit

19 Prill 2020, 21:35

Kryeministri britanik, Boris Johnson “po rikuperohet” pasi ishte i infektuar me koronavirus, theksoi një ministër i Shtetit dhe transmetoi udhëzimet e tij në qeveri në një moment kur Johnson është kritikuar për përgjigjen e tij për pandeminë e COVID-19. Dalë nga spitali një javë më parë, kryeministri po shërohet dhe është në humor të mirë”, deklaroi sot Michael Gove për stacionin televiziv Sky News. “Drejtuesi konservator 55 vjeç, ka pasur rastin të flasë me Dominic Raab, ministrin e Punëve të Jashtme që po e zëvendëson gjatë pushimit të tij. Ky i fundit i ka transmetuar udhëzimet e kryeministrit tek pjesa tjetër e qeverisë gjatë një videokonference sot në mëngjes”, theksoi Gove.

Britania e Madhe është një prej vendeve më të prekura në Europë nga COVID-19. “Numri i të vdekurve si pasojë e koronavirusit ka arritur në 15 464”, sipas një bilanci të fundit të komunikuar nga qeveria. Por këto bilance të përditshme të qeverisë janë kritikuar pasi ato përfshijnë vetëm vdekjet në spitale të pacientëve të testuar pozitivë, duke përjashtuar personat që kanë humbur jetën në shtëpitë e kujdesit për të moshuarit. Organizmat përfaqësues të shtëpive të kujdesit për të moshuarit mendojnë se janë rreth 4 000 deri në 7 500 të vdekur në këto vende. Qeveria britanike zgjati me të paktën tre javë kufizimin e vendosur më 23 mars.

“Numri i të vdekurve mbetet shumë shqetësues”, theksoi Michael Gove. “Niveli i infeksioneve dhe vdekshmërisë janë duke u ulur, por ne nuk jemi plotësisht të sigurt nëse jemi tashmë në një trajektore në rënie”, kusht që qeveria ka vendosur para lehtësimit të masave kufizuese.